>
LETERSISHQIP
Dallandyshe Lusha Bushi

Jam Gjyshe!

Në vajzërinë e largët i kisha zili të gjithë gjyshet
Fjalëëmblat e tyre ishte ligjërimi që doja
Ëndrra pranë tyre më kishte bërë si dallandyshet
Ku strehë të re lumturie në fytyrat e tyre kërkoja.
Vrapoja palodhshëm drejt sekretit të gjysheve të mira
Te ajo përkëdhelje hyjnore kishte diçka magjike.
Pranë tyre bëja poezi e sikur më vinte simfonia.
Kurora ëmbëltore e tingujve sikur vinte nga vendet ekzotike.
Mund të më vinin sa e sa çeqe te portofoli
Të ndërroja kokëulur pragje, shkolla e stacione
Veç, atyre gjysheve me rrezatim madhështor.
Nuk mund t’ia kuptoja fuqinë e madhe të emocioneve.
Tani jam vetë gjyshe e nuk lakmoj dekorata, kuleta.
Po garuat me gëzimin tim, dijeni se do ta humbni!
Në shportën e trishtimeve që më ka dhënë jeta
Sot jam më e lumtura e botës me krahë pëllumbi
Kur nipi qesh, qan i mbledhur ngrohtë në pelena,
Unë dua të them gjer në qiell: “Ejjj, jam gjyshe!”
Kur rrobat ia përkëdhel dhe ia var në tela
Nis një këngë, një ninullë me fjalët ndryshe.
Dua të shkoj të vallëzoj në brigje, livadhe a udhë qyteti.
Askush të mos çuditet kur në qiell ta hedh shaminë.
Se jam gjyshe, miq, me gëzimin si valët e një deti.
Që dua t’ia bëj më të bukur jetën, fëmijërinë.