>
LETERSISHQIP
Feti Tunuzliu

Jehona E Valëve Të Jetës

Mbesës sime, Jehona
Me dhembjet e shfaqura në të nëntin, vetvetishëm,
nisi premierën lindësja e jetës lavdishëm:
t’solli në dritën e diellit - me djersë, e lot, e gjak,
ty, sihariqin e fitores – dhuratë vatrës cak.

Sythin e shkoqur brezat e rrethuan posi princezën
e cila sa herë qante vrik ngritte vigjilencën,
jo, dhembja a hidhërimi nuk tretën as nuk shkrijnë
e jehu i zërit vinte si përplasje valësh në shkëmbinjë.

"Qofsh me shëndet e jetëgjatë!" - uronin nga çdo cep,
ndërsa trupi i njomë mëtonte rrotullimin n’djep
dhe po rritej mbarë pranë prindërve të përgjëruar,
me zellin e dëshirën për t’mësuar dhe edukuar.

Kështu, n’këtë fole kredhur ndër vite prore,
një ditë lëshoi zërin kumbues të ëndrrës rinore,
dhe dy vitet i kurorëzoi me vepra t’admirueme,
lagur deri n’palc - solli nga një rreze të prarueme.

E pas lundrimit n’krah të fluturakës kësaj pranvere,
me kujtime memece dhe mallë mërgimtari erdhe,
teksa po digjeshe e qetë me zemër të ndryme -
shuaje etjen Jehona, shuaje me shpirtërat e thyeme!