>
LETERSISHQIP
Feti Tunuzliu

Hija

N’hapësira të errëta dhe n’ato me fare pak dritë,
silueta memece e tij më ndjek zhag përditë,
është hija e trupit të njeriut - e dendur dhe e plotë:
hija e kokës, e gjymtyrëve dhe gishtërinjëve tok.

Ndonëse është vetëm hije - nuk i nxinë dot vlerat e tij,
nuk ngjiz as dilema për sjelljet dhe qëndrimet përfshij
që mund t’ia fyejnë nderin dhe autoritetin,
ose t’ia humbasin prestigjin dhe dinjitetin.

Prandaj, hija e shurdhër e këtij njeriu që hijenon,
nuk është fare as e rëndë, as e zezë, as që frikëson,
e në këtë hijeje, veç gëzimit shpirtëror e zemrës s’bardhë,
këtë njeri e përfytyroj: fytyrëqeshur, sykaltër e mjekërbardhë.

Thonë: "Mbeti hije e vetvetes prej së dobti"
dhe: "Mbeti vetëm hije nga trupi: kockë e lëkurë", siç rrojti,
kjo hije është me pamje t’tim gjyshit krejtë,
me fesin e xhybën që i rinin bukur në trupin e drejtë.

O, hijen e këtij njeriu përshkojnë vetëm vlerat e tij:
ndershmëria, drejtësia, thjeshtësia – që jo vetëm unë i dij,
e ai, nuk ishte hije e askujt, as penges për as njeri,
mbeti deri n’palc njeri hijelehtë me plot devotshmëri.

Kurrnjëherë nuk la hije t’zezë, nuk njollosi dikë,
nën hijen e vet strehonte miqë e shokë besnik,
prore matte aftësitë dhe mundësitë e vërteta,
verbërisht i peshonte gjërat - pa lajka e gënjeshtra.