>
LETERSISHQIP
Feti Tunuzliu

Ëndërra

Mu duk se rastisa i vetëm n’përpjetëze t’fortë shkëmbore
duke u ngjit me hapa breshke rrugës së thepisur gjarpërore
e cila ngushtohej gjithnjë dhe n’majë po zhdukej,
ku qielli i vrenjtur - me re dhe mjegull, me malin puqej.

Në këtë hulli t’mallkuar pa rrugëdalje e shpresëhumbur,
sikur nuk ka prapakthim që t’shpëtoj i lumtur,
hata e rëndë: "Duro zemër e mos plas"! – flisja me vedi,
derisa tmerri m’vinte si n’agoni që gati më qmendi.

Teksa qëndroja i shtangur - as në tokë as në qiell!
mu duk se një zë befas mori dhenë që zi të ndjell,
lugut të malit jehonte në mënyrë shumë tronditëse,
që trishtueshëm m’çonte n’ethe vdekjeprurëse.

Sapo m’doli gjumi u zgjova nga ëndërrimet,
me shtatë palë djersë humbur nga vegimet,
për njerëz, për sende, për figura ëndërrimi,
për rrugëtimin e lemerishëm që s’i dukej mbarimi.