>
LETERSISHQIP
Feti Tunuzliu

Ibri

O ujë i bardhë! O ujë i kristaltë! - i Alpeve Shqiptare
derdhur n’shtegun gjarpërues të relievit t’Kosovës,
prore je ngashërim i zjarrtë për zemrat kurbetqare -
muzë që ndezë kujtimet nektarë të diasporës.

Por, rrjedhja jote vezulluese nga ama deri n’largësi
tok me prurjet e çmendura lumore: shi, dëborë, …
i gëlltit pejzazhet magjepse me egërsi -
kur gufon e zbrazesh furishëm nga shtrati natyror.

Kështu, me lëng e me plëng vërshon truaj fushor.
Jo! Edhe tundë e shkundë kodra, male, … pamëshirshëm,
dhe bëhesh udhëtar i frikshëm i kaosit ujor,
teksa dështon çdo mburojë nga turri yt i rrezikshëm!

Mirëpo, teksa përshkon cikol malesh e fusha pjellore,
ti, di edhe t’dhurosh jetë e gjallëri: njerëzve, faunës e florës,
me damarë tokësor n’Ujman, përrenjë, e penda lumore, …
dhe krenar i jep jetë sythave në sy të botës.

O, gjigant që me afsh shkumbon për shekuj me radhë
dhe s’i ndalë dallgët as shushurimën e djersës së kulluar,
edhe n’pellgun e Detit Mesdhe u bëre hisedar.
E jo vetëm. Edhe n’ujëmbledhësin e Detit t’Zi, që s’do harruar!