>
LETERSISHQIP
Feti Tunuzliu

Trajtat E Nënshtrimit

Me shumë mund e përpjekje
dhe me djersë dalur n’lug
ngjitem e ngjitem shtegut përpjetë
dhe me t’arrir n’majë,
peshoi heshtazi çdo pëllëmbë të këtij rrugëtimi
e me gjakim shijoj këtë kuotë lartësie
në këto çaste pushimi e vetmie.

Ndërkohë që yjet i dhurojnë ndriçim natës
n’qiellin e paanë,
një meteor, nga zeniti i vet regëtinë
dhe ia mësyn flatrim lëmshit të Tokës.
Duke u zdirgjur thërmohet e digjet nur
por, vrik humb e nuk shfaqet kurrë.

*

Ngjashëm me ngjitësit e maleve t’larta
të cilët kapin majet e tyre,
zhyten protogonistët e botës diturore
n’margjina të fushave t’sajë
dhe dijet e gllabëruara i kurorizojnë:
brezave n’heshtje ua blatojnë.

Çfarëdo që fus thellë në qenien time
përmes damarëve atëror dhe amënor
betohem se prore do ta zotëroi fill e për pe.
Po, po, - falë afshit të ngrohtë strehuar n’mua,
që m’shoqëron posi bleta-bletën në zgjua.

E kur mbjell ndjenjë kënaqësie
teksa përpëlitem si flaka e qiriut,
kjo ndjenjë saora të tërin më mbërthen -
duke më bë për vete, sapo shpërthen.