>
LETERSISHQIP
Feti Tunuzliu

Shiu Pranveror I Dukagjinit

Bimët që kishin fjetur gjatë dimërimit
fushave e livadheve tani t’veshura me petkun e blerimit
ishin zgjuar n’mesprill duke çel bulëza
e duke shijuar ajrin e butë hapësinor
ndër ato përroje ku gurgullonte Bistrica e Pejës
rrëzë Alpeve Shqiptare në stinë të pranverës.

Teksa ujrat e avulluara të Bistricës dhe përrojeve
ngjiznin e grumbullonin t’zeza re
që mbillnin kob të zi -
mijëra fatkeqë të karvanit mërgimtar
kishin zënë konak për çlodhje në këtë nënqiell,
e zogjët e trembur zhdukeshin si vesa n’diell.

Duke dënesur, retë sajonin pika t’imta
me të cilat përloteshin
dhe vrik sollën shiun e rrëmbyer
sikur ishte shpuar qielli prej bombardimit
e po sulmonte mbërthyer
fushëgropën e Dukagjinit.

Ndërsa shkreptimat e mallkuara të vetëtimave
që flakëronin me dritë t’fortë
shoqëroheshin ngjeshur me gjëmimin e bubullimave.

Ky rrebesh pranvere që derdhej curril,
solli dyluftim ndërmjet drunjve dhe uraganit:
drunjtë lakoheshin e përlakoheshin
nganjëherë ngriteshin thikë përpjetë me kokëfortësi,
ndërsa, lulet i ndukte, frushkullonte
dhe i thyente rremat, e forta stuhi.

Nën këta drunj e rrema
"pushuesit" zemërndrydhur:
t’rriturit e t’vegjlit, burrat e gratë, …
i përkuleshin sundimit të shiut t’vrullshëm
që i lante dhe shpërlante pamëshirshëm.

Gjatë kësaj skëtere ditore të sfilitur,
veç "pritjes" së të dëbuarëve të drobitur
dhe shkuljes së dhunshme
të luleve t’buta e t’njoma të së larmishmës florë,
shiu - jo që njomi tokën për bimët fushorë
që t’thithnin ushqimin prej saj -
por, Bistrica shtatzëne tok me përrojet, …
gufonin e vërshonin me t’madhe
duke përmbytur ara e livadhe, …

O, atë ditë të trishtë e të mallkuar
kur në qiell nuk binin veçse kokrra breshëri
në horizont nuk vezullonte as hark ylberi.