>
LETERSISHQIP
Luljeta Lubovci

Në Sallën E Operacionit

Për herë të pesëmbëdhjetë…
Dhe prapë zemra ime s’pyet më për numra.
Hyn në sallën e bardhë, si një ushtare pa armë,
Vetëm me një besim që s’më është rrëzuar kurrë.
Më pret një shtrat i ftohtë, një çarçaf si heshtje,
Drita mbi kokë më shikon pa mëshirë.
Bisturia s’më tremb më – jemi njohur herët,
E anestezioni më flet si një mik i vjetër, i lodhur.
Kam dhimbje të mbledhura nën lëkurë,
Por kam edhe dritë që shkon deri në palcë.
Çdo plagë që më lanë në trup,
Ma forcoi shpirtin më shumë se ç’e kam ditur.
Kur të zgjohem, mos më shikoni si dikë të thyer.
Por si dikë që prapë u kthye nga lufta.
Sepse unë s’jam thjesht një trup që operohet,
Jam një grua që rilind, sa herë e sfidon vdekjen.
Dhe po, do të lodhem, ndoshta do të qaj,
Por s’do të dorëzohem, as kur s’mund të flas.
Sepse unë jam vetë jeta që lufton për jetën,
Dhe kjo s’ka operacion që mund ta ndalë.