>
LETERSISHQIP
Luljeta Lubovci

Fotografin E Kam Në Kokë

Fotografin s’e kam në mur,
as në album, as në telefon.
E kam në kokë, të skalitur thellë,
si plagë që s’vuan më, por nuk shërohet.
Je ti, ashtu si atëherë —
me buzëqeshjen që s’e kap dot më,
me flokët që era i ledhatonte,
dhe sytë që m’i mbanin peng ditët.
S’e tregoj askujt këtë fotografi,
nuk ka dritë që ta ndriçojë,
por kur mbyll sytë, ajo ndizet vetë,
si një yll që kurrë nuk shuhet.
Më thonë: “Hidhu përpara”, po si?
Kur gjithçka e bukur më vjen nga pas…
Fotografin e kam në kokë –
dhe ajo është gjithçka që më ka mbetur nga ty.