>
LETERSISHQIP
Nikolin Sh. Lëmezhi

Irma, Shkëndijë Për Një Botë Të Re

kushtuar një vajze kosovare e vrarë nga serbët
Tek rrija në vetmi, diçka kujtoja,
nga ditari i thjeshtë i Irmës së mjerë.
Është ditari që shkroi mes krisma plumbash,
me gjakun e derdhur atë ditë të zezë.

Dhe ja, që, historia shënon,
kohën që ecën me padrejtësi.
E në ndërgjegjen e njerëzve të çakërdisur
s’ekziston më fjala liri.

Çfarë bëri Irma e vogël, o Zot,
si guxuan t’ia vrasin fëmijërinë?
Ndriçoni, o yje, lulëzo, o tokë!
Është çuar njeriu, të hajë njerinë.

O motër Irma, më thuaj një fjalë,
më thuaj një fjalë, pashë emrin tënd!
Se valët e gjakut, sa s’më mbytën,
dhe zhurma e plumbave po më çmend.

Shikoi prej së larti, o natyrë,
të gjithë ata vrasës, njerëz të pafytyrë!
Dhe bekoje gjakun që u derdh ndër ne,
ai është simbol i jetës së re!

Ndaluni, ndaluni o zemërgurë,
një gjë ju kërkojmë, t’na dëgjoni pak!
Mjaft më luftëra, vini paqe,
se bota e mjerë po mbytet në gjak.
Shënkoll, 1995