>
LETERSISHQIP
Nikolin Sh. Lëmezhi

Emri Yt, O Atë

Kushtuar Atit Qiellor
Atë!
Ti je Emri më i bukur
në këtë jetë
e në Përjetësi!

Atë!
Je Emri më i bukur i Dashurisë
që jetës i jep Jetë
e mund të quhesh edhe Nënë!

Atë!
Ti je Emri
që çdo krijese
i ke dhënë një emër!

O Atë i mirë!
Në Emrin tënd
gjej vetveten
dhe gjithçka që më kishte humbur!

O Atë, Babai im i dashur!
Unë, biri yt endacak,
zbulova Emrin tënd,
ndaj jam kaq i lumtur!

Mrekullisht, gjithçka më flet për Ty,
e më josh, pa shumë shpjegime,
drejt thellësive të tua të pafund:
E jam gjithmonë i lumtur!
Blinisht, më 09. 05. 2023