>
LETERSISHQIP
Nikolin Sh. Lëmezhi

Lutja E Mbrëmjes

Drita tretet në natën,
dritë më nuk ka.
Errësira përshkon qenien time.
Shoh se jam i vogël,
jemi kaq të vegjël,
dhe s’jemi të aftë të shohim.
Çfarë po ndodh me ne?
Jemi njerëz! E vrasim?
E ngurtësojmë zemrën?!
E bëjmë që të tjerët të lotojnë?!

Jo, jo...! Ne jemi njerëz,
që duan një shpirt të ri.
Ne jemi njerëz,
protagonistë të një bote të re;
ne jemi njerëz, që duam të jetojmë
me shpirt të lartësuar,
në ekstazën e një jete qiellore,
ku jetohet paqja e vërtetë.

Ne jemi bij të Dritës,
se Krishti na lindi në një jetë të re.
E në këtë natë, të lutemi:

Ardhtë mirësia jote, o Zot
dhe qetësia në këtë jetë!
Shpirti yt ngushëlloftë kët’botë,
ardhtë ndër ne paqja e vërtetë!

Para nesh është mbrëmja e gjatë
dhe lavdia që do të ndriçojë.
Atëherë, më s’do të ketë natë,
Dora jote do të na gëzojë.

Prandaj, Ty, o i botës Krijues,
dita, nata, bashkë me çdo njeri.
Përherë t’këndofshin me zë kumbues:
Ty Zot, Ty Atë të qoftë lavdi!
E natë më s’do të ketë...
Shënkoll (Lezhë), 1996