>
LETERSISHQIP
Nikolin Sh. Lëmezhi

Nuk Di...

O Zot!
Nuk di Të të shoh,
nuk di Të të njoh,
nuk di Të të pranoj në jetën time,
nuk di Të të falënderoj,
nuk di Të të dashuroj.

Një gjë të vetme di
dhe kjo më mjafton:
Di që Ti e di,
se unë Ty të dua.
Të dua kështu në hiçin tim
megjithëse nuk di.

Nuk di, o Zot,
por shihe përvujtërinë e birit tënd,
që përpara Teje kërkon ndihmë!
Nuk di, o Zot,
por më merr për dore
në udhët e shenjtërisë sate!

Nuk di, o Zot,
por dua dashurinë tënde prej Ati,
dua të jetoj në Shpirtin tënd.
Nuk di, o Zot,
por lëshohem krejtësisht në duart e tua,
si shërbëtor i padenjë para madhërisë sate.

Nuk di, o Zoti im,
por u bëftë vullneti yt!
E kjo është më e madhja drejtësi,
është më e madhja dashuri,
më e madhja liri...
Është më e madhja zgjuarsi!
Shënkoll (Lezhë), Shkurt 1996