>
LETERSISHQIP
Nikolin Sh. Lëmezhi

Sipas Stilit Tënd, Imzot!

Një Zot që ndan lumturinë me mua,
një Zot që mundet të jetë,
por nuk dëshiron të jetë i lumtur pa mua,
që edhe unë të mësoj të mos jem i lumtur pa Të,
por me afsh të zemrës ta dëshiroj bashkimin
deri në atë pikë
që të humbas në horizontet e Tij.

E do të përjetoj këtë lumturi,
këtë gëzim të plotë e të patëmetë,
në një dëlirësi hyjnore.
E do të rri në Heshtje,
në këtë Frymëzim pa ndotje,
në këtë Frymëzim kristal i kulluar,
e do të shijoj frytet e ëmbla të shpëtimit,
për mua e për të tjerët.

E, më në fund,
do ta kaloj këtë Shtegtim të shenjtë,
duke shndërruar çdo trishtim
në një gëzim e lumturi të pafund, o Atë,
siç bërë edhe Ti me mua, kaq mrekullisht.

Nuk është më ëndërr, as utopi,
por fakti se jam realisht i lumtur,
dhe tashmë mjaft mirë e di
se vetëm të lumturit shpërndajnë lumturi.

Ku janë, pra, të lumturit
që rrezatojnë gëzimin e plotë, Imzot?
Ku janë ata që jetojnë sipas stilit tënd?
Shkodër, më 08. 10. 2023