>
LETERSISHQIP
Nikolin Sh. Lëmezhi

Të Ndryshëm... E Të Bashkuar

Seç ëndërrova një natë,
burra e gra,
të vjetër dhe fëmijë së bashku
me ngjyra të ndryshme
nën të vetmin diell!

Seç ëndërrova luftërat,
dhimbjet dhe urinë
bashkë me vuajtjet
e breznive të së kaluarës
që më nuk është!

Seç ëndërrova një natë,
se sa bukur do të ishte
të bashkonim ngjyrat
e të shikonim këtë njerëzim
si një lëndinë të lulëzuar!

Papritmas një zë më zgjoi,
duke më pëshpëritur ëmbëlsisht:
Të ndryshëm në ngjyrë
është ajo që na bashkon
dhe ylber na bën.
Marino (Romë), më 14. 10. 2004