>
LETERSISHQIP
Nikolin Sh. Lëmezhi

...Do Të Quhet Udha E Shenjtë

Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta. (Gjn. 14, 6)

Kam gjetur Shtegun e lumturisë!
Oh, sikur ta përshkonin
edhe vëllezërit e mi!
Sidoqoftë, për asnjë arsye
nuk do të ndalem.
Do të ec përgjatë këtij Shtegu të mrekullueshëm
e turma të pafund do ta ndjekin,
turma prej asish që thirrjen e kanë,
sepse kanë takuar Paqen,
dhe kështu, të vendosur do të ecin,
së bashku e të lumtur,
madje si njerëzit më të lumtur
dhe me gëzim e Heshtje
do ta mundin përgjithmonë
gjarprin e vjetër e të madh.
Gjatë këtij Shtegu
do t’u heqim kryqet
të kryqëzuarve padrejtësisht
e do të përpiqemi
askënd të mos kryqëzojmë.
Do të këndojmë kështu
Fitoren përfundimtare
në këtë Udhë të bukur,
në këtë Udhë të shenjtë.
Do të këndojmë
për gëzimin e përhershëm,
në këtë Udhë të bukur,
në këtë Udhë plot Jetë!
Shkodër, më 11. 12. 2022