>
LETERSISHQIP

Dilemë

Trazohen mendimet në mesnatë dhe ditën presin
të shpëtojnë nga prangat e errësirës e mos të vdesin.
të shpupurisin krahët dhe të shtegtojnë prej dhimbjes,
të puthin dalldisjen e pranverës dhe çastin e lindjes.

Shtegtojnë mendimet, ti mbetesh te unë si lajm i ri,
në hone shkon e vjen, ikën e tretesh pa njohur robëri.
Në stol të dëshirës të pres, pa asnjë lutje e përkulje
e bukur kur zemrës dhe shpirtit i vjen ajo dashuri.

Të shtrydh në sytë e mi dhe pikon buzëve nektar,
në mish më futesh si unaza e betimit të përjetshëm.
Shkatërrohet bota nëse gishtit del e dot nuk gjendet,
dashuria në ekuacione të gradës së lartë më mbetet.

Mendimi pikëzon në qenien time të hallakatur prej kohës,
në valë të dhimbjes lundron për të gjetur fundit e botës.
Direku është krisur dhe frikë kam ta ndjek në zi të detit
bashkë a të ndarë, dilema luan kukafshehtas mes rrëmetit.

Veten se lë të plakem me iluzionet e gënjeshtrës së ndyrë,
rrudhën e dua dhe thinjën nga moti të pikturohen në fytyrë.
E mbyll në arkivol të harresës imazhin e shtirë të dashurisë
më mirë luaj me ëndrrat e pastra të kohës të fëmijërisë.