>
LETERSISHQIP

Pse Të Takova Në Këtë Botë?

Më puth dhe shpejt mbyllmë në buzët e tua,
vend të zgjedhur a fron mbreti nga ty nuk dua.
Paketomë në sytë e tu dhe me mua larg shko,
mjafton të jem me ty dhe me shpirt më jeto.

Kapma shpirtin si fluturën e pranverës në rrjetë,
krahët mos m’i përgjak, në duar mbamë përjetë.
Ti, xixëllonjë maji e fshehur mes gjetheve mbi mua,
shpirtin ma përvëlo me shkarpat e ndjejave të tua.

Nuk ikin nga kjo botë trupat që mësuan të jenë një,
as dush, as sfungjerë nuk e pastrojnë dashurinë.
Vitet në harresë kurrë nuk do të na robërojnë,
është helmi i ëmbël çdo çast na pëlqen ta shijojmë.

As unë, as ti nuk e shkruam për ta tretur në harrim,
druhemi të shkojmë prapë në të ëmblin takim.
Ah, mëkatet e kësaj bote si kryqe në kurriz rëndojnë,
pse të takova në këtë botë, shpirtrat pse i trazojmë.

Çdo natë që perëndon në ëndrra të sjell përherë,
qaj në heshtje nuk mundem të kthej pas, humbe në erë.
Ti je gjaku që kurrë nuk del më nga venat e mia,
ditët që humbas si ndryshku i gërryen vetmia.