>
LETERSISHQIP

Të Ikurit E Natës

Ne heshtim,
Heshtja është mbretëria e dhimbjes sonë.
duart kanë humbur, nuk i kemi në trup,
prekja është vdekje në natën tonë të fundit.

Ne heshtin,
Sytë humbasin dritën në qiellin e pikëzuar,
përballë frikemi njeri-tjetrin ta shohim,
e rëndë ndarja erdhi në shpirtin tonë gjysmak.

Ne heshtim,
Le të ikim në rrugën tonë, - propozojmë,
nxitojmë kush i pari të dalë nga dera e madhe,
përplasemi, lëndohemi e nuk themi më fal.

Ne heshtim,
Ëndrra na u dogj në malin e zhgënjimit.
Unë isha pa pretendime veç dashuri doja,
çfarë të dhashë asnjëherë nuk të mjaftoi.

Ne heshtin,
Sa shumë matemi të flasim, por mblidhemi,
të mbledhura në thesin e shpirtit përplasen,
kohë per t’i lexuar nuk ka, Santa Klausi iku larg.

Ne heshtim,
I vidhemi njeri-tjetrit si kuajt inatçorë në lëmë,
të rrahur me vrerin e mllefin mbledhur në shportë,
si shtrigat vdekjen në gjethe të bimës për të gatuar.

Ne heshtim,
Nata u nda më dysh, nuk ngjitet kurrë më,
me copën tënde rrugën e ikjes pikturove në ajër
humbasim dhe udhëkryq nuk gjendet në ajrin e plakur.

Ne heshtim,
Loja e gënjeshtrës e mbaroi kohën e saj të jetës.
Loja me fjalën ”të dua” u zhbë, nuk ka më ngjyrë floriri.
Ne jemi loja që në heshtje qajmë dashurinë tonë.