>
LETERSISHQIP

Frymojë Në Një Pllajë Dashurie

Fle shpirti im si një i verbër në pllajë të dashurisë,
ëndrrat me shirat e pranverës në lumenj u arratisën,
zemërimi në tela kitare ashtin e copëtoi me dhëmbë,
në pikturë mbeti gjakosur vetja imee gjysmuar.

Sa kohë që zhubravitemi në detin e kuq të ndëshkimit,
sytë tradhtohen në rrugën e harresës në një sekondë,
hidhërimi turret si qeni i tërbuar i lëshuar nga zinxhiri,
pasqyra përplaset dhe ngulet fytyrës në heshta vrastare.

I mekur në asfaltin e dhimbjes shpirti në kafshim të vetes,
këmbadoras lufton ringritjen e dytë, të tretë, pafundësisht,
majës së jetës të ngjitet sërish dhe nëse në fund bie
etja se ndalon të udhëtojë drejt tempullit të dritës.

Sytë në periferi të qenies sate ende gozhdojnë veten
si Krishti në kryq me peshën e jetës së tradhtuar miqsh,
fryma më ndalet nga mëkati i shkruar një ditë a një natë,
por prapë nuk vdes, ende frymojë në pllajë të dashurisë.

Mëkati më ndjek dhe unë e ndjek turravrap kur më braktis,
inatçor me njeri-tjetrin në rrugëtimin tonë jetësor mbesim,
Ulërasin jashtë e sytë duan të m’i shpojnë me heshta pasqyre,
unë i njëjtë: Jeta pa mëkate nuk do të kishte kuptim.