>
LETERSISHQIP

Kur Të Mos Jem

Pa mëshirë më bluaj,
gjoksit tënd të vuaj.
Eshtrat të kërcasin,
si të jem i huaj,

Ngjishmë nëpër tokë,
Më ruaj ndonjë kockë.
Malli kur të të marrë,
Penxheres dil për të qarë.

Vejushe do të thonë,
Ndonjë të ngacmon.
Mos kujto se vdiqa,
Merakun për ty se fika.

Kur vajin të dëgjosh,
Që vjen nga përjashta,
Është shpirti im,
Oh, për ty unë plasa.

Sot të kam në duar,
Nuk të lë pa lëruar
Brazdat do t’i mbjell,
Blerim do të sjell.

Mos përto kumrie,
Gjoksit të më rrije.
Kur të dalë kjo hëna,
Nis e lëviz këmba.

Vejushe do të thërrasin,
Rrugës do të ngasin.
Shpirt mos u mërzit,
Mbaji, mbledh fiqitë.

Më shtrydh sa jam gjallë,
Shpirti pa më dalë.
Ruaj dhe ca për veten,
Për ty nuk do tretem.