>
LETERSISHQIP

Stacione Malli

Nuk kam më
stacione trenash me jetë si dikur,
as dritare,
ku dora
të tundet në ajër mallueshëm.
Bashkim dhe ndarje
në platforma nuk ka më,
të mbetura bosh,
pa jetë, me dhimbje rënkojnë.
Ku shkuan hapat e nxituar
për të arritur tek ti, dashuri?
Lotët e derdhur
janë tharë asfaltit të vjetër të riveshur,
emrat e thirrur
nuk dëgjohen më,
era i ka marrë me vete.
Platforma stacionesh
veç në kujtesë rrinë plot mall.
Njohjet e vjetra,
si letër papirusi mbështjellë.
Zbrazëtira kafshon endacakët e natës,
në zjarrin e tyre
ngrohet dhe dremit si pleqtë njëqindvjeçar.
Sirenat janë mekur,
ndryshku i ka ngrënë,
zëmekur përpiqen
botën të ringjallin nga humbja,
që zhurma trenash
në orare të ketë përsëri.
Platforma stacionesh
veç në kujtesë rrinë plot mall.