>
LETERSISHQIP
Preng S. Gjikolaj

Atdheu Im

Atdheu im!
I farkëtum n’tharm gjaku,
në mijëra stuhí shekujsh,
i pjekun n’furrat e luftnave,
me shqipen rojë te pragu,
si krenari e pashkëputun
në ballë të shqiptarëve.

Atdheu im!
Mete jetim,
me bijtë e bijat e tu,
si princa të shprishun,
si zonja të shkueme,
që mërgimi i tret
si hije t’pashuara
në skaje t'botës.

Atdheu im!
I lidhun me zinxhirë dimni,
ku pranvera vonohet
nga pleq të kalbun n'shpirt
e zogj t’korbit,
që rrijnë mbi ferrat e harrimit,
duke ta pi gjakun
me sqepë t’pangopun.

Atdheu im!
Venat po t’i presin
për t’ta shitë trupin copa-copa,
në tregje pa dritë,
ku hakun askush s’ta njeh,
e djersa e gjaku yt
shkrihet në monedha t’huaja.

Atdheu im!
Në skutat e errët t'politikës,
ku pushteti duhet t'luhet si shah,
t'kanë kthye n’lodër ping-pongu:
ditën betohen t'da me fjalë,
natën t’pijnë gjakun bashkë,
e të rrjepin deri n’zemër t'shpirtit.

Atdheu im!
Gjama jote shkelmohet
nën thundra gomarësh,
që ushqehen me para gjaku,
me florinin e armiqve,
me mallin e mërgimtarëve,
e me psherëtimat e nanave
që s’ka kush t’i varrosë.

Atdheu im!
Nji ditë, gjama jote
do t’çajë kupën e qiellit,
ka me shkundë stuhitë,
ka me djegë karriget e pushtetarëve,
që ta kanë shitë shpirtin,
për me ndezë nji pranverë
n'flamurin tand t'kuqezi.