>
LETERSISHQIP

Gërshet Poetik

Toka e paska gjuajtur qiellin me gurë
Me dru me hekur e paska gjuajtur
Lumenjtë stërkalash qenkan ngritur
Ta shuanin zjarrin e ndezur me sherr

Paska ngritur pluhur e tymra pandërprë
T’ia mjegullojë yjëzit diellin e hënën
T’ia nxijë kaltërsinë dhe faqet me blozë
Ta rrotullojë dhe ta shkelë me këmbë

Qenka bërë natë e zezë e frikshme
Dita s’paska çelur me syrin diellor
Rrebeshe dhe stuhi qenkan ngritur
Gjithandej horizontet bubullojnë…

Qenka zgjuar toka nga gjumi i rëndë
Ëndrra e trishtuar e paska mallkuar
Gur e dru e dhe’ gjithçka i ka ngjizur
Pajtim me qiellin paska kërkuar…!