>
LETERSISHQIP
Shefik Arifi

Si Një Këngë Që I Mungojnë Fjalët

Dua të kujtoj vendlindjen, si dikur
me të mirat e saj, vuajtjet edhe hallin,
dhe te një zë këngëtari dhe te një gur,
veçse kështu mund të shuaj mallin.

Dhe një fije bari më ka dalë në ëndërr,
dhe një hije lisi, ku nëna më kish vënë,
se njerën dorë nëna kish te misri,
merakun e saj, tek unë e kish lënë.

Këtu vij, kujtoj jetën që patëm,
të kujtoj pranverat që çelnin buqetë,
edhe kur hëna varte gërshetat natën,
dhe kur korrigjonim secili gabimin e vet.

Edhe njëqind vjet jetë po të kem
S'harroj të vij këtu, ku ishin të parët,
Se pa vendlindjen time unë do të jem,
Si një këngë që i mungojnë fjalët.