>
LETERSISHQIP
Shefik Arifi

Të Kam Thënë

Të kam thënë për bukuritë e fshatit tim,
Siç të kam folur dhe për djemtë tanë.
Nga gjoksi të ngjajnë të fortë si shkëmbinj,
Nga shpirti të ngjajnë të butë si valë.

Të kam thënë, se këtu ndizen bisedat,
Dhe flitet shpesh për vajzat e bukura.
Kur i sheh nga larg të duken si mjellmat,
Kur i sheh nga afër të duken si fluturat.

Dhe ja tani prapë ti sjell ndërmënd,
Për vjeshtat që vijnë e si vajza dredhin belin
Për hënën që vjen e ulet mbi shkëmb,
Për pranverat e para që lule më sjellin.

Dhe nëse vjen mbrëmjeve, më thuaj,
Të të pres diku në hyrje të fshatit.
Të të tregoj për njerëzit se sa i dua,
Dhe të mos t'a nis prezantimin së prapthi.