>
LETERSISHQIP

Lajmëtari

Teksa shtigjeve shoh dërrmuar nga ëndrra,
Kalon një zë i pastër safir mbi kryt e mia,
Ka një fjalë për të më thënë!
Po ç’të ketë vallë ndër buzë ky lajmëtar?

Në qoftë fat i mirë,
do hidhem përpjetë nga gëzimi,
E në qoftë letër e zezë,
do rrëshqas tatepjetës nga ligështimi.

Por ky qenka mik i imi,
po më buzëqesh si në nxitimthi,
Ngrij kryt të shoh atë zarf,
Që në gjysmë ishte ndarë,
Shoh një fletë të bardhë bore,
E mbi të si e huaj,
klith një pikëz e çrregullt e zezë boje.

Po vallë ç'më thotë kjo letër,
Veç kur mbyll sytë të shoh më qartë,
Me magji ndodhem nën një ujvarë,
Nuk e di se ç'ishte në fakt,
Iluzion a lundrim në ëndërrim.

Ky ujë i çmuar më tërheq t'më përqafoj,
Por unë mall s'kam,
Nuk munda dot t'ia dhuroj.

Më kërkuan malet puthje,
Po unë nuk kisha buzë,
Me kërkuan pemët t'ua kapja duart,
Veç se dhe to nuk i kisha,
E brenda vetes po vdisja nga dëshira.

Diçka më vret në sy,
Në ujë nuk paskam më reflektim,
Pemët nuk po më jepnin më frymë,
Malet po më kthenin shpinë,
E lotët mbi faqe rrjedhshëm shkruanin vargje.

Pashë me frikë të madhe,
Se si u bënë të errët e vigan malet,
Si filloi t'më tallte era,
Si po më lente pa frymë pranvera.

E unë sakate e frikësuar,
Shihja se si natyra më kish zënë në duar.

Veç ta dija se ç'ka ishte,
Ai mallkim në formë dashurie,
Ai mallkim,
që kurrfarë magjie e bardhësisë s'e prishte.