>
LETERSISHQIP

Në Fund Të Ditës

Në mbrëmje kur bie të fle sodis ditën
në portretin tënd,
pesha e orëve të saj
ka lënë gjurmë dhe dielli i coptuar
hije të ka lënë nën gushë.
Krahët e tu kanë humbur ritin e përqafimit,
afrohesh lodhshëm dhe puthjen ajrit ma jep,
sikur të huaj jemi, këtë moment.
Të kuptoj,
se stresin po ndjej edhe unë
të grumbulluar gjatë ditës,
veç e lë të pushojë mënjanë,
se e nesërmja do përsëritet dhe në fund të javës,
përsëri në ditën e pushimit,
do ta ndjejmë të dy, edhe pse të parkuar diku,
do na shoqërojë përgjatë gjithë jetës...!