>
LETERSISHQIP
Sofia Nako Susac

Shkrepëtimat E Shpirtit

Unë e njoh shpirtin tënd,
ia njoh të gjitha udhët,
në ngjashmtëri me udhëtimet e mia
nga koha, kur shikimi yt më verboi,
I njoh përmëndësh dyert,
më ftojnë të trokas
kur ëndërrat e mia
gjumin, shpesh e grishin.
Njoh edhe adresën e vjetër,
kur zemra yte nisi të rrahë,
nga dita kur u bashkuan zemrat tona...
A e di...?
Dua të shtroj atë rrugicë, atje
pranë damarit të shkallëve,
për t'u ngjitur lehtë të vendos kornizat e shpirtit.
Aty, do pasqyroj të gjitha tablotë e jetës
takimin tonë të parë,
por jo atë të fundit,
mbasi s'do jem në gjëndje ta shënoj.
Do kem kohë të freskoj çdo detaj të vogël
për ta mbështjellë me frymën tënde,
ndërsa koha do mbrojë të gjitha muret,
që kurrë s'do mund të zhbëhen.
Rrugët e puthjeve do ndriçohen,
bulë-dritash do vendos lart shtyllave.
Muzika, oh, oh,
ajo do jetë zëri i ëmbël i zogjëve
krahëve të pemëve,
asaj, të qershisë më tepër.
Kokrrat e kuqe,
me lëngëzimin e tyre do n'a joshin,
si herën e parë,
rrëshqitur lëkurës së bardhë,
a të kujtohet?
Atëherë,
shkrepëtimat e shpirtit
ndezën zjarrin më të madh,
q' ende s'kërkon të shuhet.

Sa ngrohtë më mban, dashuria ime...!
Mos u frikëso, buzëqeshjen nuk do ta humb,
asnjëherë...!