>
LETERSISHQIP

Etyd Për Ditëlindjen Tënde

Mos m’u trishto pse s’t’i bëj më ritet,
Pse për qirinjtë, hënën se bëj shkrepse.
Pse mbi tortë, nuk t’i shkruaj më vitet,
Pse mbi tavolinë është një gotë e vetme.

Pse s’të lutem më pas:-Përkule kokën,
E qirinjve ty japësh frymë, një nga një.
Pse nuk të ftoj:-Trokite me mua gotën,
Pse s’guxoj të them:- Unë jam me dikë!

Të ndodhte kështu, do duhej më parë,
Grimcat e gruas që kam thellë në deje.
Nga poret e trupit, t’i tërhiqja zvarrë,
Të krijoja një grua tjetër, përballë meje.

Do duhej që shpirtit, t’ia ngulja thikën,
Dhe ty për një çast të nxirja nga vetja.
Si në gjithë ditëlindjet që erdhën e ikën,
Të pëshpëritja të njëjtat fjalë të thjeshta.

Pse të të shkul nga unë, e të ul matanë,
Vetëm sa për të thënë:-Edhe njëqind!?
Ty s‘të kam larg, po s’të kam as pranë,
Fryj brenda meje, t’i kam ndez qirinjtë!