>
LETERSISHQIP
Agron Shele

Ikonë

Një çast të vetëm mbylli sytë
kur shembeshin qiejt poshtë këmbëve,
pastaj ngjyrosi qiellin me sharmin e diellit
e dogji dhe të fundit yll
atij vështrimi të thekshëm prej perëndeshe
që thyente ikuinokset kohë
e derdhej valëve të shekujve pambarim,
si zjarr
dhe dritë e zbritur në agim.

Ajo gjurmë ardhur gjer sot
vallëzonte me erën dhe fëshfërinte dashurinë e ngritur përmbi dhimbjen
gjakut trazim
helmuar pragut të paprekshëm të hyjnive
tretur e kthyer në ylber
urë për të kapërcyer thinjat e dishepujve
që fatin e lidhnin me vdekjen e pafajësisë
dhe jetën,
rrjedhë e brezave me fytyrën e shëmbëlltyrës.