>
LETERSISHQIP
Agron Shele

Ti Që Shkon …!

Inspirim nga Artur Rembo
Ti që shkon nëpër atë lumë të turbullt
nuk e njeh zemërimin e tij
as zallin e bardhë që shvendos me furi,
këmbët e hedhura përmbi dallgë dinë vetëm të përpijnë
e humbasin në të errëtat ngjirize
që poshtë thellësive dergjin dhimbjet agoni.

Ti që shkon nëpër atë lumë,
mos u shndërro në një kujtim i hidhur,
ose lule që do çelësh gurëve të zhveshur,
se mijëra yje do ndizen e fiken shpirtit tënd
e netët oshëtima do thërrasin Ofeli.

Ti që shkon nëpër atë lumë të zi
mos i vdis shekujt pa të ringjallur sërish,
që dhe një herë kalorësi të vrapojë bashkë me erën
dhe ti të shfaqesh shëmbëlltyrë nëpër qiell.

Ti që endesh si valë e bardhë
mos u shkri një me ujërat gurgullimë
as me Hënën zhveshur nëpër muzgjet e fshehta,
se një bukuri e shfaqur natës së vetmuar
është syri dhe drita e vetë magjisë.