>
LETERSISHQIP
Agron Shele

Më Shumë Se Një Rreze…!

Ishte më shumë se një rreze dielli
që përthyente koloritet ylber
tek ndryshonte ngjyrat pas xhamave akrelinë
bulëzuar në pikëzime të pafundme shiu.
hieroglife të padeshifruara
shëmbëlltyrë e asaj që ish
një gotë vere më tepër
e ndoshta një cigar tymit pështjellim.

Ishte ndoshta një det
ku mblidhte të tëra stuhitë
e kthehej në dallgë furi
përplasur shkëmbinjve brerë pa pushim,
shkëmbit të bardhë ngelur
shenjë e stërkalave fluide në ajër,
ku një shpend deti këlthet dhimbjen e mbledhur
e ndoshta një sirenë përmbys fatin nënqeshur.

Ish më shumë se një legjendë
ardhur nga mbishkrime të vjetra,
papiruse dhe shkrime në pllaka të thyera,
nota të një lire dikur aq ëmbël kumbuar
jehonën kur një Hermes drejtonte harkun
e një Orfe përshpirtej nëntokës dashuri,
një Euterpë ringjallte muzën e perëndimeve
tek digjej flakë e bëhej hi
dhe ashtu përulur hyjnores jetë
me të vetmen dritë që kozmosin verbon
ngrihej e përpinte të tëra botët
si Venus, që shpirtin përjetë do ndriçojë.