>
LETERSISHQIP
Aurela Tafa

Mëngjes Gri

Mëngjes gri…pa diell,
sytë angështuar kërkojnë në qiell.
Mëngjes i zbrazur,i heshtur,
kuptimin që desha, s’e pata gjetur.

Boshllëk, trishtim, një fije mërzi,
ecje në mjegull… melankoli.
Rrugët e lagura nga nata që shkoi,
heshtja si mantel shpirtin e mbuloi.

Era e lehtë kujtime të zbehura sjell,
tinguj e zëra, si lutje nën qiell.
Një rreze e ndrojtur pas reve përgjon,
sikur thotë: “Edhe kjo ditë shkon.”

Çdo mjegull fsheh,ndoshta,një fije drite,
në çdo heshtje një zë i lodhur sfilitet.
E ndoshta, në këtë mëngjes pa ngjyrë,
tinëz një fije shprese në zemër ka hyrë.
18 Tetor 2025