>
LETERSISHQIP
Aurela Tafa

Rrethi I Kotësisë

Ka ditë kur ndjej se gjithçka rreth meje shteron,
kur edhe ajri duket i rënd për të marrë frymë.
Boshllëku më rrethon si mjegull,
dhe çdo hap që bëj më duket i kotë, i pakuptim.

Jeta – një rreth që s’mbaron kurrë,
që të rrotullon pa mëshirë në të njëjtat pyetje,
pa përgjigje, pa dritë, pa prehje.

Si të gjesh forcë për të ecur,
kur bota është verbuar nga lakmia,
kur virtyti është harruar,
dhe ndjenjat njerëzore janë bërë monedhë tregu?

Si të mos ndihesh bosh,
kur njeriu vret njeriun për një fjalë,
për një kafe, për një hije krenarie?

Si të vazhdosh,
kur rrethohesh nga sy që të urrejnë
vetëm pse kërkon të jesh vetvetja —
i ndershëm, i thjeshtë, i vërtetë?

Ndoshta kjo është tragjedia më e madhe:
të ndjesh thellë në një botë të mpirë,
të ruash shpirtin tënd në një kohë
kur shpirtrat janë bërë mallra që shiten.
31 Tetor 2025