>
LETERSISHQIP

Kapsulë

Jeta bie në mendimet tona për vdekjen,
edhe sa kohë gjallë jemi?
Kujtesa jonë e shkurtër
na afron me kafshëzat e tokës,
bashkë me ditët shtyjmë frikën tonë
si milingonat dheun
e ecim në rresht për një
e numërohemi në rresht për një
thërrimen e vetmisë duke mbartur
heronj të përkohshëm të diçkaje pa emër.

Vdekja bie në mendimet tona për jetën,
edhe sa kohë na ka mbetur?
Përderisa nuk dimë më shumë sa dimë
kujtesa jonë prej plasteline shformohet,
dhe shtypja e rëndë e dhembjes gjen vend
dhe forca e dhembjes bëhet vend,
për dhembje të tjera.

Jeta dhe vdekja na hanë - ngadalë
E ne në kujtesë shndërrohemi - ngadalë.