>
LETERSISHQIP

Fjalë Me Lule

Frymë-ndez, sy-për-mua
frymë-shuan, sy-përrua,
lule.

Syri sheh, syri dhemb
bota-ferrë, bota-gjemb,
lule.

Trupi ther, brinjëthyer
frymë s’merr, zemërshqyer,
lule.

Shih të shihemi njëditëzaj
që të rrojmë paskëtaj,
lule.

Se kësaj jete të mjerë
zemrën kush s’e ka për vlerë,
lule.

Sa na vjen pakëz pranverë
dimri vrap na shkel në derë,
lule.

Ndaj më sheh, siç të shoh
por s’më njeh, siç të njoh,
lule.

Rro të rrojmë sa të jetë thënë
herë me diell, herë me hënë,
lule.

Se me rrjedhën matesh kot
ikën shkon e s’e ndal dot,
lule.