>
LETERSISHQIP
Erina Çoku

Pikuj

Sonte do të ndahem edhe më nga gjërat
grimca të vogla do të ngrihen ngadalë në ajër
e sytë e mi të ujshëm do të mblidhen në një pikë.

Duke dashur diçka. Duke dashur fort.
Duke dashur pa ditur çfarë, pse a si.

Edhe më do të ndahem nga gjërat sonte
çdo grimcë e imja do t’i ngjitet diçkaje në botë
e unë do të rrjedh ngadalë prej syve të mi të ujshëm.