>
LETERSISHQIP
Erina Çoku

Poemë E Zotit Ndë Gjol Të Thellë

PZot-ynë ra ndë liqen
e retë u zgjatën tërë nge
të shohnë vallë si na qe
shenjtëria vetë përmbi dhe.

Zot-ynë ra ndë liqen
valëzat e ndjekin një nga një
me njëra-tjetrën mbajnë rend
si peshka të vogla cëk më cëk.

Zot-ynë ra ndë liqen
e sytë na i mbushi plot
tek ujtë e shohim vate vjen
ai vallë a na sheh dot?

Zot-ynë ra ndë liqen
si për të na mbajtur ne mbi shpinë
na çoi shpirtin lart në re
e ra në ujë sa i hodhëm synë.

Zot-ynë ra ndë liqen
shpirtrat mbi ujë na i mbajti,
kodrave shkau pështjellë me re
erdhi teposhtë për së larti.

Zot-ynë ra ndë liqen
e brengat thellë na i humbi
kodrat mbajtën mbi supe retë
se ngjyrë të bardhë, se ngjyrë plumbi.

Zot-ynë ra ndë liqen
këtu një pemë, atje një varkë
ca kallamishte diku më tej
ca gurë të ngrysur, ca gurë të bardhë.

Zot-ynë ra ndë liqen
e gjithë ç’deshëm e harruam
ndaj morëm frymë edhe njëherë
se kush kujtoi e kujtuam.

Zot-ynë ra ndë liqen
qiellin e bardhë me sy e shkruam
se kush harroi mall e brengë
mu ndënë ujë e harruam.

Dhe udhës kodrat nëmëruam
që uji brengën ta shtyjë tej
kush dashuroi kur dashuruam
kush na mëkoi shpirtin e mjerë?

Zot-ynë ra ndë liqen
e mori frymë ai pa fjalë
kush udhën në heshtje na e gjen
me këngë shpirtin na e kthen mbarë.

Kush paqen me ujë nëmëroi
kush zemrën plot e pati
ashtu kjo jetë e shënoi
te Zoti ynë, e pastë fati!

Zot-ynë ra ndë liqen
unë s’qeshë shumë lark
e pashë vetë si gjeti prehnë
i hyri ajri, shpinë e bark.

E mora frymë thellë
ndë ujë kur e pashë
dritën e shtruar, dritën e qetë
që qiell e ujë i bëri bashkë.

Mbi kodra pemët urtë rrinë
si t’jenë të Zotit nëmëruar
si t’jenë ujin duke pirë
prej qiellit shtruar-shtruar.

Dhe kodra-kodrës qetinë ia jep
me këngë e ujë të thjeshtë
liqeni paqen në shpirt ta mbjell
porsi Zot-ynë i madh vetë.