>
LETERSISHQIP
Fatos Luta

Në Bibliotekën Kombëtare

Kisha mall të vjetër, për Bibliotekën,
Por nuk e gjeta më atë cep tavoline;
Aty, ku disa çupa poezitë m'i prekën,
Aty, tek bëja "të urtin", mbas shpine.

Bjondes ndër fletë libri i fusja poezi,
Vargjet që thurja, i'a sillnin përqark;
Brunes i putha e i hëngra syrin e zi,
Natyrisht, veç ndër rreshta, në varg...

Për Bibliotekën kisha mallin e vjetër,
Por, nuk e gjeta më atë cep tavoline;
Aty ku shkruajta dhe një copëz letër,
Për vajzën nga fshati, syblertën time...

Për Bibliotekën Kombëtare pata mall,
Nga aty provova disa ëndrra t'prekja;
Aty realizova edhe përkthimin e parë,
Në sezonet e provimeve, aty u rrekja.

Biblioteka më lëvriu atë mall të vjetër,
Zëra të largët, si jehonë m'ikin e vinë;
Por, tavolinën e kish ngrënë kuçedër,
Ndër kafenera ka shkuar ajo tavolinë...

Në kafene zhurmojnë ngjarjet pikante,
Me personazhe miks, të stisur, kllounë;
Pak lexojnë Hygo, Niçe, Dikens, Dante...
Degës padijes..i janë shtuar majmunë!
15/06/2017