>
LETERSISHQIP
Fatos Luta

Në Azil

Ndodhi italiane
Jeta i hedh si fara, që rastësia diku i mbjellë,
Rrudhat ngjasonin me rrathë të lisit të prerë...
Ndër sy përvuajtja u kishte zënë vend thellë,
U endej një ëndërr e shuar, herë-herë ylber...

Në këndin e vetmuar, diç shkruante, ky burri,
N'anën tjetër, diç lexonte nën syze, kjo grua;
Tek i ndante një gardh lulesh, si gjysëm muri,
Shpesh mërmërisnin nëpër dhëmbë, "të dua"...

Oborrit, në lulishten si pyll, ata u takuan dikur,
Dhe këmbyen disa mërmëritje, me zë t'mekur...
Ajo i thotë, që ka patur fiksim dikur, një burrë,
E burri i flet për shpirtin e një gruaje të vdekur...

Kur ajo i thotë disa vargje t’djaloshit dhe emër,
Bota sikur i shembet autorit plak, aty përballë!
Fërkon sytë, se mos ka përpara një hije femër,
Dridhet zonj’ e bukur, mos ka përpara një djall...
* * *
Lanë pas historitë e jetës dhe të zënë përdore,
Takuan një për një, të gjithë t'moshuarit në azil;
Tek shpërndanë ftesat e ceromonisë martesore,
Sytë i tij të zinj po shkriheshin n'sytë e saj jeshil...
31/01/2019