>
LETERSISHQIP
Fatos Luta

Mesnatë

Mesnata më erdhi zhurmshëm me këmbanë,
Ndërsa po rri zgjuar si një dëshmitar i rremë;
Të t'i kallëzoj datës re, ditën e jetës që lamë,
Të shtoj dhe ca gëzime, agun t'mos e tremb...

Por, në fakt pashë skamje, thirrje shpirtrash,
Mezi drejtonin hedhje çapash n'udhë t'jetës;
Me këmbë t’valëzuara nga magnete bishash,
Të tretura në udhëkryqe, si këmbët e bletës.

Pashë njerëz të thinjur, përkulur nga ortekë,
Fëmijë nëpër klasa...dridheshin si harabelë!
Të tjerë pa një strehë, pa opinga e pa brekë,
E përmbi plehra t'jetës, gjithëherash një gjel...

Por, ditës së re duhet të t'i them mirëmëngjes,
Dhe t'i'a fsheh ç'pashë, errësirën ku përhumb;
Poeti vë lupë rrezesh, të t'mbjellë një shpresë,
Të trashë këmbët e bletës, t’i zmadhojë thumb...
22/01/2017