>
LETERSISHQIP
Fatos Luta

Një Presje E Thjeshtë

Edhe matematikani shkruan me talent poezi,
Por unë po ju flas për atë, që kurrë s'vë pika;
Vetë, s'të fal gabime presjesh, tek numrat ai,
-Mos më gjyko, thotë, s'të lejon matematika!

Të shpjegon për presjet dhjetore, ku të shpie...
-Miku im, ç’ta zgjas, gabimi të rëndon n'xhep!
Por, unë i tregoj, se si shpëtoi jeta për një fije,
Nga një presje letrare dhe natyrisht ai u step...

"Falje e pamundur të pushkatohet!"-vendimi,
Pas fjalës "e pamundur", një presje u deshtë...
Thuhet, u vendos shenja të shpëtonte Lenini:
"Falje, e pamundur..." - nga presja e thjeshtë...
23/02/2018