>
LETERSISHQIP
Fatos Luta

Fjala Muze Flakë

Për origjinën e "flakës" gërmova papiruse,
Shqipja jonë e ka si një muze fjalën "flakë";
Nuk vjen nga grekë, latinë apo sllavo-ruse,
As nga saksonë, arabë...kinezë aq më pak.

Paraardhësit tanë veshur me lëkura preje,
E ruanin prushin si sytë, n'acare, në vapë;
Kur me heshta turreshin, kope pas kopeje,
Disa mbanin zjarrin ndezur ditë edhe natë.

Ata flitnin me shenja, belbëzonin si bebet,
U kuptonin mes tyre, siç kuptohen guakë;
Fë, fë, thonin për zjarrin, beeee për delet,
Fë, fë!- i frynin prushit të mbetej po flakë.

Fë-në e linte "K"-ja, (K-ja, simbol i njeriut),
Të ndezur buzë lumi, pylli a pranë shpelle;
I ruheshin egërsirës...dhëmbit ujkut, ariut,
Kundërmonin mish, tek piqej viç, dhi, dele...

Feu thotë francezi, se, me "fë" ndizet flakë,
Feuer, -ndër gjermanë e fire -ndër anglezë;
Por, tek "fë"-të e shqiptarëve të ndalim pak,
Si "K" (njeriu) e mban fë-në përherë ndezë.

Fë e la K-ja, fë-la-k, fëlak, erdhi fjala FLAKË,
Kjo fjala e stërlashtë, sa për miliarda muzé!
K-në, këtë shkronjë-njeri, ne e kemi në gjak,
E kemi si flori t’fshehur tetë pashë nën dhé...

Fjal’ e vjetër lëvozhgë nisi udhë pa sinonime,
(Lë-vo-zoga...lë vezën zoga dhe Botën sheh);
Dhe fjala "flakë", nga vullkani i gjuhës shqipe,
Me "K" simbol-njeriu çukit "fë-fë" nëpër muze...
18/11/2017 (Ripunuar 26/12/2018)