>
LETERSISHQIP
Fatos Luta

Poezia, Poetët

Poezia lindi anonime, pa emra autorësh,
Natyrisht, vërshoi dhe nga bukuri femrore;
I leckosur, i frikuar në oborre perandorësh,
Poeti zbrazte dashurinë e fshehtë hyjnore.

Kënaqej madhëria, zonja prekej në zemër,
Oratori kishte gdhendur fjalë, si me daltë;
Por, ata nuk i’a kuptonin cila qe ajo femër,
I merrnin për vehte rimat, lyera me mjaltë.

Ndodhte, të dashurohej me vdekjen poeti,
Tek zemra thurte varg për vajzën e mbretit;
Ndizte Madhërinë, digjej dhe vetë i shkreti,
Kodin poetik s'ia kuptonte kurrkush poetit.

Ndërsa, gladiatorët i lanë gjurmët gjak-lyer,
Poeti vargun, refren përjetësie n'amfiteatër;
Vargjet e Homerit dhe Virxhilit t'mallëngjyer,
Mbetën refrene...valëve Mesdheut të kaltër.

Kush e preku atë dashuri sublime, t’vërtetë,
Perifrazoi gjigandi Platon, poeti i lashtësisë,
T'gjithë u shndërruan përjetësisht në poetë,
Aty e lanë zemrën, t'u rrahë brenda poezisë...
21/03/2017