>
LETERSISHQIP
Fehmi Pireva

Për Ty Sërish Ndjeva Mall

Ti mund ta duash një flokëverdhë
Çiltërsisht gjer në naivitet,
Dashurinë si piramidë e Keopsit
Thua s'do e shemb asnjë tërmet.

Sa gurë rrokullise mbi themel
Këtë e bëre veç nga dashuria,
Në brendësi të shpirtit, si në tunel,
Deri te vuajtja s'arrinë as poezia.

Këtë ngrehinë kaq të madhe
Që si një skllav vet ke ndërtuar,
Vjen diç e trishtë, aq pabesisht,
Zjarr brenda teje, Trojë e rrënuar.

Një ditë ike një rruge tjetër
Para portës të rrëmbeu, princi me kalë,
S'di a buzëqeshe a qave si helenike
Unë sërish për ty ndjeva mall.