>
LETERSISHQIP
Mimoza Leskaj

Emigranti

Eci menduar çdo përvjetor
Me shpirtin gërryer gjer në thellësi
Të njëjtat ëndrra shtrëngoj në dorë
Si atëherë edhe tani.

Çuditërisht asgjë s’ka ndryshuar
Përveç faktit që jam thinjur shumë
Dhe viteve që më zvarritën të vetmuar
Sikurse zgjuar, ashtu dhe në gjumë.

Shirat këtë vit aspak s’më ndihmuan
Përveçse fshehën lotët e mi
Asnjë ëndërr prej tyre s’u zgjua
Së bashku u bënë më pandemi.

Ç’dreqin e paskemi këtë mallkim
Që la veç kokë e vetëm këmbë
Në mes një shpirt, endet në zbrazëtirë
Dhe shpesh herë ngjitet lart në hënë.

Vetëm atje kundron i qetë
E sheh se ç’bëhet me mallin e tij
Prej hënës i rrjedh një dritë e zbehtë
Dhe lotët i bëhen, prush në gji.

Çdo vit më mbyt njëlloj trishtimi
Se ditët e tjera "bëj sikur harroj "
Më lini të qaj o njerëz, më lini
Me lotët e mi veç unë "gëzoj"!