>
LETERSISHQIP
Mimoza Leskaj

S'i Gjeta Më Dallëndyshet

Ikëm ne, një e nga një!
Në fillim mbetëm tre, më pas dy
Në fund të një skenari jete, lamë pas një strehëz të vogël
Brenda strehëzës që na rriti.

U kthyem çdo vit, i gjenim aty, tek prisnin.
Bëheshim shumë, kthehesh gjallëria, cicërima
Zgjaste pak, shtegtonim të gjithë
Heshte dashuria!

Kështu u thinjëm, si në skenën e një teatri,
aktorë të jetës.
Dikush mungon, nuk është më
Të tjerë kanë ardhur, janë vazhdimësi e zemrës
Foleza çdo vit aty, stoike brezash.
Aspak rastësi, priste kthimin tonë
... viteve!

Ç'ndodhi këtë herë?
Ku vallë shtegtuan?
Pritën aq shumë sa dhe folezën e tyre shkatërruan?
Ku vajti dashuria e tyre e verbër, përzier lotëve malli?

Lermëni t'iu ëndërroj, falmani braktisjen
Ushqyet jetën time, dhe unë tuajën
Takohemi diku, kthehemi së bashku
Pa mbajtur mëri për ikjet.