>
LETERSISHQIP
Preng S. Gjikolaj

Hana E Venlinjes

Sa herë kthehem i përmallu n'venlinje,
buzëmramjeve kur dal n'Qaft Pllumthit.
Kah majë e Kunorës m'përshnet hana dritëargjente,
e atje poshtë n'luginë, melodi e valve t'lumit.

Përballë m'përshnet siluet e gurit Gjonit,
dëshmitarit t'historisë t'ktyne viseve mirditore.
Hijeranë atje përmi shpatet e blerume t'Valmorit,
i praruar nga dritë e hanës plotë toptore.

Hanë e venlinjes!
Sa e sa herë m'ke nriçu udhën atyne netëve,
kur kthehesha i lodhun e i mërzit nga puna.
Kur ecja menushëm n'blerimin e zabeleve,
nër brija, shtigje e livadhe ku m'zinte nata.

Hanë e venlinjes!
Dëshmitare e bashkëudhëtare e ime nër mote,
gjithni m'ke marr për dore n'të tana ciklet tua jetësore.
Edhe kur lindje anej kah perenimi drapnatore.
Edhe kur dilje buzës Valmorit përgjysëm javatore.
Edhe kur ngjiteshe n'zenit t'kupës qiellit, toptore.

Hanë e venlinjes!
Bashkëudhtare besnike netëve nër mote,
dëshmitare e brengave, dëshmitare e hareve.
N'trastën e shpirtit tim t'trazu aso kohe,
mora me vehte dhe një copëz tanen atje sipër reve.

Hanë e venlinjes!
Kur drita e artë e jote derdhej zabeleve,
shpateve, lugjeve, e deri poshtë bregoreve.
Cucat kërthizëjashtë e buzë t'paputhme,
nan dritën tane ledhatonin gjitë me durt e dashnorve.

Hanë e venlinjes!
Përmi supet e mia ende ndriçon dritëplote
edhe nër sytë e mi t'përmyt n'lotin e mallit.
Këta lot teren kur i puth veç e arta drita jote,
sa herë kthehem n'ato vise ku hapa sytë s'parit.