>
LETERSISHQIP
Sinan Kërpaçi

Mure

Në moshën njëzet vjeç unë isha në Tiranë,
në moshën njëzet vjeç unë s`isha në Tiranë:
dhe e pamë dhe s`e pamë njëri-tjetrin.

Midis qenies dhe mosqenies sime qe një rrugë,
një rrugë që më çonte tek e dashura
dhe te Biblioteka Kombëtare:

isha në botën e librave dhe urrejtjen e armëve.

Në moshën njëzet vjeç më duhej të kapërceja
një mur atje ku mësoheshin kalibrat e armëve,
në zemër të Tiranës.

Të kapërceja një mur për të takuar Tiranën
dhe të dashurën!

Në moshën gjashtëdhjetë vjeç, po midis qenies
dhe mosqenies sime vazhdoj në Tiranë
me mure, me mure prej të gjitha anëve...

Dhe gozhdë e ngulur në kokë kalibrat e armëve,
dhe ish e dashura që u trembet fjalëve të mia
për mure
sidomos këto kohë që udhëtoj në burgje.